Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shpalli vendimin ndaj të pandehurit Fabion Gjoni, i akuzuar për disa vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.
Gjoni u shpall fajtor për veprat penale “Kultivimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Fabion Gjoni, u dënua me 6 vjet e 8 tetë muaj burgim.
Gjykata vendosi që Gjoni të vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë për të dënuarit e rritur, ndërsa shpenzimet procedurale do t’i ngarkohen të pandehurit.
Njoftimi:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale me të pandehur Fabion Gjoni, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/1, 284/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flojera Davidhi dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 70, datë 11.11.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
4. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Fabion Gjoni me 10 (dhjetë) vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fabion Gjoni t’i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
6. Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Fabion Gjoni do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.
7. Sendet e sekuestruara të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor për efekt të procedimit penal të ndarë me nr. 71/1 të vitit 2024.
8. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurit.
9. Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Tiranë, më datë 11.11.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
