Pallati i Buckingham ka konfirmuar se Mbreti Charles III ka nisur zyrtarisht procesin e heqjes së të gjitha titujve dhe nderimeve mbretërore të Princit Andrew, pas zbulimeve të reja që lidhin djalin e dytë të Mbretëreshës Elizabeth II me shkelësin e dënuar seksual Jeffrey Epstein. Sipas deklaratës, ish-princi do të njihet tashmë me emrin Andrew Mountbatten-Windsor, duke humbur çdo status zyrtar brenda familjes mbretërore. Vendimi vjen pas një serie akuzash të rënda mbi sjelljen e tij dhe përdorimin e pozitës për përfitime personale.
Zbulime tronditëse nga biografi mbretëror
Historiani britanik Andrew Lownie, autor i librit “Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Jorkut”, ka bërë publikë disa nga detajet më komprometuese të jetës së Andrew-t.
Në podkastin e Daily Mail, ai tregoi se gjatë një udhëtimi zyrtar në Tajlandë në vitin 2001, i financuar nga taksapaguesit britanikë, Andrew solli rreth 40 prostituta në hotelin luksoz ku qëndronte për vetëm katër ditë.
Lownie tha se burimet e tij përfshijnë një korrespondent të Reuters dhe një anëtar të familjes mbretërore tajlandeze, të cilët konfirmuan incidentin. Ai shtoi se ish-princi përdorte rolin e tij si i dërguar tregtar i kurorës për të ndjekur gra dhe për të përfituar financiarisht nga kontaktet e tij.
Paralajmërimi i hershëm i Mbretit Charles
Sipas historianit, në vitin 2001 vetë Charles kishte paralajmëruar që vëllai i tij nuk duhej të merrte rolin e të dërguarit tregtar, duke thënë se “Andrew do të ndjekë gratë dhe do të luajë golf”. Megjithatë, paralajmërimet e tij nuk u morën seriozisht në atë kohë.
Lownie shtoi se gjatë asaj periudhe, Andrew përdorte udhëtimet zyrtare për të promovuar interesat e tij biznesore, duke përmendur lidhjet me sipërmarrësin David Rowlands, për të cilin kishte ndihmuar në sigurimin e një licence bankare në Lindjen e Mesme.
“Një konspiracion heshtjeje” rreth Princit të rrëzuar
Historiani kërkoi që Arkivat Kombëtare të publikojnë dokumentet e periudhës 2001–2011, kur Andrew shërbeu si i dërguar tregtar, pasi ato mbeten ende të mbyllura.
“Sot ekziston një komplot heshtjeje rreth tij. Ai duhet të dalë në dritë. Askush nuk është mbi ligjin,” deklaroi Lownie, duke i bërë thirrje mbretit për më shumë transparencë.
“Andrew dëmton institucionin mbretëror”
Lownie, i cili njihet si një mbështetës i monarkisë, theksoi se Andrew ka minuar reputacionin e gjithë familjes mbretërore:
“Nëse ai do të ishte hetuar siç duhet gjatë kohës si i dërguar tregtar, shumë prej këtyre skandaleve mund të ishin shmangur. Familja duhet të tregojë se askush nuk është mbi ligjin – edhe nëse kjo do të thotë që Andrew të përballet me drejtësinë.”
Historiani përfundoi se monarkia duhet të mbijetojë përmes transparencës dhe integritetit, jo përmes mbrojtjes së atyre që kanë abuzuar me pushtetin.
