AMP ekzekuton masa sigurie ndaj 4 efektivëve të policisë për shpërdorim detyre (EMRAT)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë), në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal për 4 punonjës policie, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre në lidhje me mosveprimet e tyre në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Masat e sigurisë të ekzekutuara janë të natyrës ndaluese dhe konsistojnë në “Pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, në kuadër të hetimeve për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”.

Të pezulluarit janë:

Komisar Afrim Meçe, në kohën e ngjarjes me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe aktualisht në të njëjtën pozicion në Komisariatin e Divjakës;

Nënkomisar Edlir Kazazi, Specialist për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë;

Inspektor Rosario Çollaku, në kohën e ngjarjes Nën/Specialist i Policimit në Komunitet në Kavajë dhe aktualisht pjesë e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban;

Nënkomisar Saimir Kazazi, Specialist dhe Koordinator për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Sipas hetimeve të AMP-së, punonjësit e pezulluar nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e mbulimit të tyre, ç`ka çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e 550 bimëve narkotike, të mbjella në territorin që ata ishin të ngarkuar të monitoronin.