Amnistia Fiskale, Meta përsërit thirrjen: Tërhiquni! Dëmton procesin e integrimit në BE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediet ditën e sotme theksoi dhe një herë rëndësinë e tërheqjes së përpjekjes për të mirtaura amnistinë fiskale.

“Ne nuk kemi ende një administratë tatimore dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht duhet një kornizë efektive në luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit. Kjo iniciativë e kryeministrit aktual do të favorizonte qartësisht botën e krimit, duke i ofruar mundësi që të ardhurat e përfituara nga krimi të pushtojnë ekonominë vendase. Do të goditej biznesi i ndershëm dhe do dekurajoheshin investimet e huaja në Shqipëri. Do të minojë besimin e shoqërisë te shteti i së drejtës dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale. Do minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, i cili sipas raporteve e ka kthyer Shqipërinë në një baza operacionale. Sikurse ka përsëritur BE do dëmtohej procesi i bashkëpunimit  me vendet partnere dhe vetë procesi i integrimit në BE”, deklaroi ish-presidenti.

Meta theksoi se ky ligj synon të fusë në sistemin bankar dhe të ligjërojë qindra miliona euro evazion që është bërë nga kompani me bekimin dhe në shërbim të qeverisë.

“Janë provuar 180 milionë  euro evazion fiskal. Kjo përpjekje synon të pastrojë këto vepra penale një herë e përgjithmonë”, tha ai.


Shtuar 11.10.2022 13:40