EDITORIAL Në përpjekje për të mbrojtur nismën e amnistisë fiskale, Qeveria ka filluar të përmendë një listë me shembuj të ngjashëm në vende të ndryshme, nga më të zhvilluarat, si Shtetet e Bashkuara apo Norvegjia, deri në vende në zhvillim si Filipinet e Indonezia.
Nisur nga këta shembuj, Qeveria pretendon se amnistia fiskale nuk është një nismë e çartur, e nisur nga qëllime të dyshimta, por një veprim normal i çdo vendi që kërkon të formalizojë dhe riatdhesojë kapital të larguar.
E vërteta është komplet ndryshme.
Megjithëse ka vërtet plot raste të amnistive fiskale të kryera në shumë vende të botës, në vija të përgjithshme këto nisma janë thelbësisht të ndryshme nga çfarë po synon të kryejë qeveria shqiptare. Amnistitë fiskalë, pavarësisht formave të ndryshme ligjore që marrin nga shteti në shtet, kryesisht synojnë të formalizojnë ose të riatdhesojnë të ardhura të krijuara nga burime të ligjshme, por të padeklaruara më parë.
Riatdhesimi është element i rëndësishëm i këtyre nismave, pasi shumë kompani shumëkombëshe faturojnë kosto, shpesh fiktive, ndërmjet degëve të ndryshme brenda kompanisë, për të spostuar të ardhurat e tyre drejt parajsave fiskale ku paguajnë pak ose aspak taksa. Edhe nëse këto veprime nuk konsiderohen formalisht si evazion fiskal, ato shërbejnë për të reduktuar të ardhurat tatimore të vendeve ku të ardhurat janë gjeneruar vërtet. Qëllimi i qeverive, kësisoj, është rikthimi i të ardhurave në vendet ku ato janë gjeneruar në mënyrë që të taksohen si çdo e ardhur tjetër.
A është ky rasti i amnistisë së propozuar nga qeveria shqiptare? Thënë thjesht, jo.
Qeveria shqiptare po propozon një nismë për të legalizuar çdo të ardhur, pavarësisht burimit të saj, qoftë kriminale apo korruptive. Supozimi se zyrtarë të lartë nuk do mund të përfitojnë nga kjo nismë bie poshtë, për aq kohë sa individë të afërt të tyre mund të deklarojnë të ardhurat, pa treguar burimin e tyre.
Po ashtu, është naive të mendosh që nisma do shërbejë për riatdhesim të të ardhurave nga vende të tjera ku ato mund të jenë depozituar për t’u shpëtuar tatimeve shqiptare.
Së pari, në shembujt e amnistive fiskale të përmendura më sipër, këto veprime do të kryheshin normalisht, nëpërmjet kanaleve formale bankare. Por nëse të ardhurat janë krijuar nga burime të dyshimta, asnjë bankë e huaj nuk do pranonte t’i depozitonte apo transferonte ato drejt Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por individët e përfshirë në këto transferta potenciale do të ishin menjëherë objekt hetimi në vendet përkatëse.
Po ashtu një dalje me një shumë CASH nga vendet e rezidencës, drejt Shqipërisë, do të rezultonte një shkelje e ligjit në secilin prej këtyre vendeve. Kështu që transferimi i parave kriminale (këtu do të duhet të kategorizohen si ato që janë gjeneruar nga aktiviteti i mirëfilltë kriminal, por edhe ato që rezultojnë nga aktivitet tregtar i padeklaruar në vendin e rezidencës, pasi këto te ardhura po ashtu bartin “cenin” të evazionit fiskal të vendit të rezidencës, ndaj të cilit “amnistia” nuk ka ndonjë fuqi imponuese) nga vende të huaja drejt Shqipërisë mund të rezultonte më problematike edhe për vetë individët ndaj të cilëve thuhet se drejtohet.
Së dyti, nëse të ardhurat janë nga biznese legjitime, ato do ritransferoheshin vetëm për të riinvestuar në aktivitete prodhuese të rëndësishme. Në fakt, pikërisht ky ishte qëllimi i nismave në shumë prej vendeve të zhvilluara në vitet e fundit: riindustralizimi i ekonomisë nëpërmjet lehtësimit të sistemit tatimor. Por ky nuk duket se është rasti i Shqipërisë. Ndër problemet e shumta që përmendin investitorët në Shqipëri, niveli i taksave, nuk është ndër kryesorët. Në sondazhe të shumta, shqetësimet kryesore janë korrupsioni, mungesa e infrastrukturës dhe kapitalit njerëzor. Kush mundet të fitojë para në Shqipëri, në mënyrë legjitime ose jo, përpiqet t’i largojë për shkak të mungesës së pasigurisë në vend e jo t’i rikthejë ato.
Si rrjedhojë, është më se legjitime pyetja se kujt do t’i shërbejë vërtet nisma.
A është vërtet ajo një nismë, që mund të sjellë në Shqipëri të ardhura të shumta, të krijuara nga shqiptarë brenda apo jashtë vendit e që janë depozituar jashtë thjesht për t’iu shmangur taksave?
Apo është, ndryshe nga të gjithë shembujt kryesorë të përmendur nga Qeveria, një nismë që synon të formalizojë para nga aktivitete të paligjshme, kryesisht brenda vendit, duke humbur përgjithmonë gjurmën kryesore me të cilat ato do të mund të hetoheshin dikur?
Sot është më se racionale të mendosh se përgjigjja është e dyta, e si rrjedhojë, amnistia e propaganduar nuk është “fiskale”, por ligjore. Ajo mund të jetë përpjekja për të shfajësuar përfundimisht abuzimet madhore të ndodhura në Shqipëri gjatë dekadave të fundit dhe aspak burimi i të ardhurave, me të cilat do të lulëzonte ekonomia jonë.