I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë së fundmi ka folur për sfidat aktuale të rajonit me të cilin është i ngarkuar. Ai shprehu shqetësimin për një “Ballkan të dy shpejtësive” ku vuri theksin te ndarja mes politikanëve pro perëndimorë dhe atyre që kanë orientime te faktorë tjerë.
Te çështja për Kosovën e Serbinë, Escobar u fokusua te pika e Asociacionit si kyçe për të dalë nga ngërçi. Por, amerikanët kanë një kërkesë të rëndësishme për Serbinë.
Emisari Escobar s’pajtohet që ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi e kanë të nevojshme një qasje të re për të intensifikuar këtë proces. Ai thotë se qasjen e re duhet ta sjellin “disa persona” që e kanë marrë përsipër dialogun, duke aluduar te kryeministri Albin Kurti.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës potencoi kërkesat që aktualisht ka SHBA ndaj Kosovës e Serbisë për të dalë nga pozita e mospasjes së suksesit në Bruksel.
Escobar thotë se detyra e Kosovës është e qartë, themelimi i Asociacionit. Serbisë tash për tash i kërkohet durimi dhe të mos e destabilizojë Kosovën.
“Nëse do të më duhej të thosha diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit europian”, ka thënë Escobar.
Perspektivën e SHBA-së për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja e fundit nga të dyja palët, Kosova e Serbia, e ka shpalosur më tej edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili në anën tjetër dha një intervistë për Radio Evropa e Lirë në Prishtinë.
“Dua të jem i qartë se – nga këndvështrimi i SHBA-së – ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre, të ndërmarra në Ohër dhe me Aneksin e zbatimit të [Marrëveshjes]”.
Ambasadori Hovenier dha pikëpamjet e vendit të tij edhe për frikën më të madhe të Kosovës se ky Asociacion do të krijojë një republikë tjetër brenda shtetit.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenier për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë.
Sidoqoftë, Hovenier thotë se pritjet e ndërmjetësuesve janë që Kosova të mos e zvarrisë më tej themelimin e Asociacionit.
“Është një element urgjent i zbatimit të [Marrëveshjes] së Ohrit”, tha Hovenier.
Për urgjencën e themelimit të Asociacionit pajtohet plotësisht edhe Bashkimi Europian, por se si do të duket ai ka nguruar të japë një përgjigje konkrete zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili mori disa pyetje rresht për këtë çështje.
“27 shtetet anëtare e kanë thënë shumë qartë që puna për themelimin e Asociacionit sikurse ky i komunave duhet të fillojë pa vonesa dhe pa kushte. Çështja se si të bëhet ai, në çfarë mënyrë e forme është për t’u diskutuar në dialog. Dialogu është platforma për të zgjidhur këto çështje. Procesi duhet të zhvillohet dhe do të zhvillohet në dialog, jo në publik, jo në media. Të gjithë të përfshirët e dinë se cili është pozicioni i BE-së dhe të gjithë janë në dijeni se cili është procesi që të mbërrijmë atje, që të kemi këto marrëveshje. Puna ka filluar në njëfarë mënyrë. Pritjet janë kornizuar në deklaratën e fundit të BE-së”, ishte përgjigjja e Stanos.