Ambasadori Meidani në mbrojtje të maqedonasve: Lufta për identitet dhe dinjitet është universale

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, reagoi pas një statusi të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili i shprehu mbështetje për angazhimin e tij në zgjidhjen e problemit me shkollën në fshatin Nerovë, në Krushevë.

Ambasadori Meidani, me një gjuhë diplomatike, iu përgjigj vlerësimeve me një mesazh me kuptim më të gjerë, i cili në mënyrë indirekte prek edhe palën maqedonase.

“Faleminderit për fjalët e mira, Arben. Kauza shqiptare është kauza e të gjithë atyre që besojnë në të drejtën për identitet, barazi, respekt dhe përfaqësim me dinjitet,” shkroi Meidani.

Me këtë qëndrim, ambasadori Meidani përcolli në mënyrë indirekte mesazhin se lufta për identitet dhe dinjitet nuk është ekskluzivisht shqiptare, por universale – dhe i përket të gjitha popujve, përfshirë edhe popullin maqedonas, për të cilin çështja e ruajtjes së identitetit mbetet një plagë e thellë historike dhe politike.


Shtuar 4.07.2025 23:05