Ambasadori Hill: Sado i vështirë, dialogu është zgjidhja e vetme mes Kosovës dhe Serbisë

Ndonëse procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i vështirë, e vetmja zgjidhje mbetet që të dy palët t’i vazhdojnë bisedimet. Kështu deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, e cila është organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Qendrës për Arsimim Politik.

Duke përshëndetur përpjekjen e ndërmjetësuesve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Hill theksoi se tensionimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në dëm të të gjithë rajonit.

“Mendoj se tensionet dhe konflikti kanë ndikim në të gjitha vendet e rajonit dhe ajo që do të doja të shihja është një lloj përmirësimi ose të paktën ulje të tensioneve”, theksoi ai.

Ndërkaq, në pyetjet e të rinjve rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ambasadori Hill tha se për këtë duhet investuar në ngritjen e besueshmërisë mes dy komuniteteve.

“Dy çështje janë me rëndësi kruciale: besimi te komuniteti ndërkombëtar dhe qartësia ndaj qytetarëve për sa i përket asaj se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen”, u shpreh Hill.

Ambasadori i SHBA-së para të rinjve u fokusua dhe në rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si në aspektin e zhvillimit ekonomik ashtu dhe në atë të sigurisë.

Ai nënvizoi se asnjë shtet nuk mund t’i zgjedhë fqinjët, por e gjithë mençuria qëndron në faktin që udhëheqësit politikë të gjejnë mënyra për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, dhe i gjithë fokusi të vendoset në interesat e përbashkëta, duke potencuar në këtë rast nismën Ballkani i Hapur.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut t’u bëjë ballë sulmeve kibernetike.

Duke iu referua rritjes së ndikimit rus në Ballkan, ambasadori Hill shprehu bindjen se udhëheqja aktuale ruse e ka çuar, siç tha ai, “civilizimin në pyll” ./REL/


Shtuar 3.05.2023 18:51