Ambasadori amerikan në Beograd thotë se nuk do të dorëzohen derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo, sipas tij, është elementi kryesor i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i jep dy arsyes për SHBA-ja ngulmon në formimin e menjëhershëm të Asociacionit.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill është shprehur se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë elementi kyç në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të gjithë ndërmjetësit në dialog thonë sa më shpejt aq më mirë”, deklaroi Hill, raporton e përditshmja serbe “Danas”.
Siç ka shpjeguar ai, janë dy arsye për këtë. E para është se, sipas tij, serbët e Kosovës janë të sigurt se Asociacioni duhet të formohet dhe e dyta është se komuniteti i Serbisë duhet ta dijë se çfarë përmban e ardhmja dhe se kjo është arsyeja pse SHBA-ja e merr këtë obligim “me seriozitetin më të madh”.
Hill ka thënë se nuk dëshiron të flasë në emër të të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, por e përmendi si prioritet kryesor.
Ambasadori amerikan citohet të ketë thënë se nuk do të dorëzohen derisa Asociacioni të formohet.
Më tej, ai tha se do të bëjnë çmos që të përmirësojnë bashkëpunimin me Serbinë në fusha të ndryshme./express