Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK), ditë më parë ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës. Është raportuar po ashtu se 200 kompani gjermane kanë ikur nga Kosovë. Për këtë ka reaguar vet ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.
Raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde i ka quajtur krejtësisht të gabuara.
Ambasadori Rohde ka shkruar në Twitter se “Mosrespektimi i standardeve gazetareske: As Shoqata Gjermano-Kosovare e Biznesit dhe as Ambasada Gjermane nuk janë pyetur nëse kjo është e vërtetë. Ajo që është e vërtetë është se: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale, siç thuhet këtu”.
Ambasadori Rohde ka ripërsëritur deklaratën e tij dhe të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare për deeskalim të menjëhershëm të situatës në veri
Këtë thirrje ditë më parë ambasadori Rohde e kishte ndërlidhur në aspektin ekonomik, pasi që sipas tij, dëmet janë shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përball komunitetit të biznesit.
“Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për shtensionim të menjëhershëm”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Ai ka përsëritë thirrjen e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare të bizneseve për shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë.
Deklaratë e OEGJK për ndikimin e zhvillimeve politike në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare:
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDËV-OEGJK) po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.
Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes.
Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik.
Tensionet mes Kosovës e Serbisë nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./monitor