Paraditen e sotme, është mbajtur seanca e parë plenare e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu.
Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo, si më i vjetri pas dy demokratëve.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare, ndërsa në sallë ishin gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Mes tyre, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Vëmendje tërhoqi mungesa e drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, Olsian Çela dhe Altin Dumani.
Dy karriget e rezervuara për ta në lozhën e Kuvendit mbetën bosh, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura arsyet e mospjesëmarrjes së tyre në hapjen e legjislaturës së XI të parlamentit.