Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë, Zaev e Gashi nesër formalizojnë marrëveshjen

Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani pas mbledhjes së Kuvendit Qendror të kësaj partie njoftoi se me shumicë votash është vendosur që kjo parti të bëhet pjesë e Qeverisë, shkruan TV21.

“Kryetari Gashi i njoftoi kuvendarët me bisedimet e deritanishme, duke u ndalur veçmas në pikat programore për të cilat janë dakorduar si dhe përgjegjësitë që janë marrë, pastaj pas një diskutimi dhe pyetjeve të parashtruara, Kuvendit Qendror i Alternativës me shumicë votash vendosi që Alternativa t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare të Qeverisë aktuale”, tha mes tjerash Murtezani.

Nga kjo parti vendimin e arsyetuan me krizën në të cilën gjendet vendi, si dhe mundësinë për hapjen e rrugës së eurointegrimeve.

Në lidhje me, pse Alternativa vendosi të bëhet pjesë e Qeverisë? Murtezani tregon arsyet:

“Me këtë rast po i shpjegojmë disa nga arsyet që na ka shtyrë drejt këtij vendimi. Është këtu momenti historik i hapjes së negociatave për aderim në BE, dhe mbyllja e kontestit me Bullgarinë, që janë jo vetëm synime historike shtetërore por edhe shqiptare, sepse në këtë mënyrë bashkë me vendin tonë i hapet rruga integrimit dhe stabilitetit mbarë rajonit”, tha Murtezani.

Të pyetur se me cilat resorë do të udhëheqë Alternativa, si pjesë e ekzekutivit, Murtezani refuzoi të përgjigjet konkretisht, duke thënë se nuk ka kompetenca dhe se detajet do t’i jep gjatë ditës së nesërme lideri i partisë, Afrim Gashi.

“Ne do të marrim përgjegjësi me rëndësi në resorin e shëndetësisë, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, energjetikës, organizimit të mërgatës por edhe arsimit, kulturës dhe ngritjes të cilësisë së jetës së qytetarëve duke e ndihmuar jetën ekonomike të të gjithë qytetarëve të vendit”, theksoi mes tjerash Murtezani.

Përveç tjerash, u njoftua se gjatë ditës së nesërme, në ora 13:00 në Klubin e Deputetëve, kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i kësaj partie, Afrim Gashi do të nënshkruajnë marrëveshje për programin e ri, pas çka do të japin detaje edhe për ndarjen e resorëve./TV21


Shtuar 4.12.2021 22:31