Aleate e Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, Polonia heziton për dërgimin e avionëve luftarakë

Një nga aleatët më të afërt të Ukrainës ka hedhur dyshime nëse do të ishte në gjendje të furnizonte Presidentin Volodymyr Zelenksy me avionët luftarakë që ai thotë se janë të nevojshëm për të fituar luftën me Rusinë.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda tha për BBC se dërgimi i avionëve F-16 do të ishte një vendim shumë serioz që nuk ishte i lehtë për t’u marrë.

Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë.

Muajin e kaluar, Polonia ishte një nga disa vendet që u zotuan të dërgonin më shumë tanke, municione dhe pajisje në vijën e frontit.

Komentet e Presidentit Duda vijnë pavarësisht se ai dhe Presidenti Zelensky folën këtë javë, në fund të turneut të papritur evropian të liderit ukrainas. Në Londër, Presidenti Zelensky përdori fjalimin e tij në Parlament për të kërkuar mjete për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë në ajër.

“Unë ju bëj thirrje juve dhe botës me fjalët e thjeshta dhe megjithatë më të rëndësishme,  avion luftarak për Ukrainën, krahë për lirinë”, tha ai.

Udhëheqësi i Ukrainës e përsëriti atë thirrje në Paris dhe Bruksel, në një largim të rrallë nga vendi i tij, nën masat më të forta të sigurisë.

Në Varshavë, Presidenti Duda tha se dërgimi i avionëve F-16 do të përbënte një problem serioz sepse, me më pak se 50 avionë në forcat ajrore polake, nuk janë mjaftueshëm dhe do të duheshin shumë më tepër prej tyre.

Ai gjithashtu theksoi se avionët luftarakë, si F-16, kanë nevojë shumë serioze për mirëmbajtje, kështu që nuk mjafton vetëm të dërgohen disa avionë. /albeu.com


Shtuar 11.02.2023 18:34