Aleanca për Shqiptarët bën parashikimin: Vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli do të hapen negociatat këtë vit

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka reaguar pasi Maqedonia e Veriut dështoi të hapë negociatat me Bashkimin Europian.

Snopçe është shprehur se as këtë vit, vendi nuk do të ketë datë për hapjen e negociatave.

Ai ka treguar gjithashtu pozicionin e ASh-së karshi procesit:

“-Aleanca për Shqiptarët çdoherë ka dhënë përkrahje të pakushtëzuar parlamentare në çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane dhe ka bërë thirrje për hapjen e negociatave për anëtarësimin e RMV, sepse besojmë se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për sjelljen e politikanëve të korruptuar dhe të papërgjegjshëm.

– Megjithatë, siç edhe kishim paralajmëruar në bazë të informatave tona nga qarqet diplomatike, as Këshilli i BE-së i mbajtur dje më 14 dhjetor nuk dha dritën e gjelbër për hapjen e negociatave.

– Pa dashur të paragjykojmë rezultatin e samitit evropian dhe samiteve të ardhshme deri në fund të vitit, ajo që bie në sy nga konkluzionet e Këshillit të BE-së të publikuara mbrëmë, janë kritikat e shumta drejtuar qeverisë LSDM-BDI. Ndër tjerash, konkluzionet e BE-së theksojnë:

o) Mungesën e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit dhe nevojën për reforma të mirëfillta në këtë fushë.

o) Problemet e theksuara në luftën kundër korrupsionit.

o) Reformën e papërfunduar zgjedhore.

o) Politizimin e administratës publike dhe nevojën për respektimin e parimeve të transparencës, meritës dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

o) Mungesën e mbikëqyrjes parlamentare mbi shërbimet e inteligjencës.

o) Cënimin e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

– Për fund, konkluzionet e BE-së kërkojnë rezultate konkrete në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Traktatit për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

– Natyrisht se regjimi do të fajësojë Bullgarinë e kë mos. Por, qytetarët tanimë e dinë të vërtetën dhe nuk kanë asnjë pritshmëri nga ky pushtet i kriminalizuar i cili punon çdo ditë kundër vlerave evropiane. Këta për 20 vite fshehen prapa integrimeve evropiane për të mbushur xhepat e tyre dhe për të varfëruar qytetarin, ndërsa integrimin evropian si synim strategjik të vendit e kanë shndërruar në një farsë me dështimet e tyre të njëpasnjëshme.

– Andaj, ne do të presim përfundim e samitit evropian ditën e nesërme, por tanimë duket e qartë se përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli gjatë ditëve të ardhshme, Maqedonia e Veriut as këtë vit nuk do të sigurojë datë për hapje të negociatave edhe përkundër gënjeshtrave dhe mashtrimeve bajate me data të figurave të regjimit dhe atyre që po u bashkëngjiten në emër të integrimeve evropiane”, tha mes tjerash ai./albeu.com/