Aleanca me Metën “ndryshon” ngjyrat e PD-së, Berisha: Pas zgjedhjeve Shqipëria do të jetë blu me nuancë ndryshe

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur i bindur se opozita do të fitojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në 14 maj 2023.

I ftuar në emisionin “Log” në Abc, Berisha tha se opozita do fitojë bashkitë e mëdha, ndërsa tha se pas zgjedhjeve Shqipëria do të jetë nën ngjyrën blu të PD-së, por këtë herë me një nuancë ndryshe, kjo për shkak të marrëveshjes me Partinë e Lirisë për të garuar me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Nuk do t’i humbasim bashkitë e mëdha, ne do i fitojmë. Shqipëria do të jetë “Blu Albania” por me një ndryshim të vogël sepse tani jemi bashkuar me Partinë e Lirisë, ka nuancë pak ndryshe”, tha Berisha.

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë firmosën më 27 tetor marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Krerët respektivë të dy forcave politike, Sali Berisha i PD dhe Ilir meta i PL, të kanë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit, ku dy forcat politike do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.

MARRËVESHJA

Ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 Sot, me datë 27 tetor 2022, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

I. për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;

II. të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor;

III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;

IV. të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;

V. të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni. Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.


Shtuar 1.11.2022 22:39