Albeu.com zbardh kulisat: Pse erdhi tani shkarkimi deputetëve, çfarë po ndodh brenda grupit të PD

Ditën e sotme, Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së 4 deputetë, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj, me arsyetimin e nuk janë distancuar nga dhuna në protestën e 8 janarit të thirrur nga Berisha.

Por çfarë fshihet realisht pas këtij vendimi që u njoftua pikërisht sot.

Të lidhura

None found

Albeu.com mëson se ky vendim, për të përjashtuar këta deputetë me zë në Kuvend, nuk ka qenë rastësisht, sot. Ka ndodhur sepse pjesa më e madhe e deputetëve demokratë kishin mbledhur firmat për ta shkakuar Alibeaj nga detyra e kreut të Grupit Parlamentar dhe për të vënë në vend të tij, Ervin Salianjin.

Alibeaj, pasi është informuar në lidhje me këtë gjë, ka bërë lëvizjen e parë duke i shkarkuar, për të prishur numrin e votave për shkarkimin e tij nga posti. Ndërkohë theksojmë se në votim nuk ka marrë pjesë as kreu i PD-së Sali Berisha dhe as deputetët e tjerë të përjashtuar.

Por shumica e grupit të PD e ka shkarkuar Alibeajn dhe emëruar Salianjin dhe pa firmën e të lartpërmendurve, pasi nga 40 anëtarë që ka grupimi, ishin mbledhur tashmë nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të PD.

Vendimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së:

Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj.

Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023. /albeu.com

 

 


Shtuar 10.01.2023 23:45