“Albania Tabak” u sekuestrua sot, investigimi për kontrabandën e cigareve në Libi dhe Egjipt: Në Librazhd prodhoheshin 175 milionë paketa “Cleopatra” në vit

Shoqëria “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve” e kontrolluar nga kompania mëmë “EA TOBACCO” në pronësi të biznesmenit kontravers Ergys Agasi, është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme. Vendimi vjen një javë pas paraqitjes së Agasit në SPAK.

Një hetim i thelluar i përbashkët i gazetarëve nga BIRN dhe ARIJ zbuloi se në Shqipëri, në fabrikën Albania Tabak në Librazhd, prodhoheshin me miliona paketa cigare të markës egjiptiane “Kleopatra”. Kjo fabrikë, e cila prej vitit 2014 prodhonte rreth 22 milionë paketa në vit, kishte marrë licencën nga një kompani ndërkombëtare për të prodhuar dhe shpërndarë këto cigare në Europë dhe më gjerë.

Sipas dokumenteve të siguruara, cigaret prodhoheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin masivisht në Libi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme dyshohet se kontrabandohej ilegalisht në Egjipt, duke shkaktuar humbje të mëdha për kompaninë origjinale egjiptiane Eastern Company, e cila zotëron markën “Kleopatra”.

Hetimet e Doganave të Mbretërisë së Bashkuar kishin sinjalizuar për këtë aktivitet në 2015, duke çuar në nisjen e hetimeve edhe në Shqipëri.

Për këtë arsye, në fund të vitit 2015, prodhimi në fabrikën Albania Tabak u pezullua përkohësisht, ndërsa rasti u rihap në 2017, kur u evidentuan lidhje të kompanive të ndryshme me bazë në Ishujt Virgjin Britanik dhe Qipro, që dyshohet se menaxhonin trafikun ndërkombëtar të cigareve.

Edhe media investigative “Shteg”, nga raportimi i saj ka arritur të zbulojë se Albania Tabak prodhonte cigaret për kompaninë Eques Holding Group, e cila kishte marrë licencën për përdorimin e markës “Kleopatra” në Europë dhe për tregjet ndërkombëtare.

Dokumentet gjyqësore në Shqipëri, raportet e rrjedhura të doganave britanike, kontratat dhe intervistat me drejtuesit e fabrikës, aso kohe zbuluan se rreth 22 milionë paketa cigare janë prodhuar çdo vit nga Albania Tabak në Librazhd, përpara se të dërgohej për eksport drejt Libisë.


Shtuar 29.07.2025 17:17