Kandidatja demokrate e listës së mbyllur Albana Vokshi, foli lidhur me ecurinë e fushatës zgjedhore drejt zgjedhjeve të 11 majit, ku sqaroi se çdo ndodh me SPAK në rast fitoreje të PD-së.
“Do depolitizohet. SPAK do jetë një strukturë që të hetojë në mënyrë profesionale e papolitizuar jashtë politikës. Që të jetë njësoj nëse e bën krimin elektoral ndonjë nga PD apo PS, njësoj kushdo që bën krim elektoral apo bën afera korruptive. Larg politika nga SPAK. Ne e votuam dhe shprehëm vullnetin që jemi dakord me ndryshime kushtetuese. Ishte e nevojshme reforma në drejtësi,. Mënyra e qëllimshme si e implementoi Edi Rama, e la Shqipërinë 3 vjet pa GJK, dhe sot kapica e dosjeve nga 30 mijë është bërë 150 mijë. Ajo që do bëjmë, do bëjmë legjislacionin që të implementohet një reformë që presin qytetarët shqiptarë. Akoma nuk janë mbyllur çështjet e 2013-2014”, tha ajo.
Më tej, ajo tregoi historinë e një familjeje në Kamëz që jetonte me 70 mijë lek të vjetër në muaj.
“Është një keqqeverisje që ka larguar 1 mln shqiptarë. Ka njerëz të braktisur. Isha në një familje, pashë një qytetar 10 vjet në shtrat, nuk lëvizte. Ia kishin hequr kempin. Jetonin e gjithë familja me 70 mijë lek të vjetra. Bashkia në Kamëz inekzistente”, shtoi ajo.
Vokshi tha se Rama ka vënë shtetin në këmbë për të hetuar familjen e saj, ndërsa shtoi se pas zgjedhjeve do dorëzojë një tjetër kallëzim në SPAK për shëndetësinë ndaj kryeministrit, ministres Manastirliu dhe sipërmarrëses Vilma Nushi.
“Ka vënë shtetin në këmbë për të hetuar familjen. Jemi lindur dhe rritur në një familje të ndershme. Duke më çuar në Gjykatën Speciale mendoi se do më bënte të heshtte. Jemi në mbyllje të një kallëzimi të ri për Edi Ramën, Manastirliun, Ilir Beqjan, Vilma Nushin. Po hartohet një kallëzim të ri sapo të mbarojnë zgjedhjet. E rëndësishme që Sali Berisha të jetë kryeministër”, pohoi Vokshi.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, Vokshi thekson se nuk mundet të ndodh që PD t’i humbasë ato, teksa tha se në Kamëz elementë kriminal por bashkëpunojnë me pushtetin.
“Nuk ka shans të ndodhë që ne të mos fitojmë. Edi Rama thoshte do marr 120 mandate. Pastaj shkoi 94, tani e ka çuar variant maksimal minimal. Sondazhi më i mirë, është trokitja derë më derë. Zgjedhjet e fundit në Kamëz u manipuluan. Kam shkelur në çdo lagje. Nuk ka përzgjedhur nëse është i majtë apo i djathtë. Raporti që më del është 9 me 1. A mund të kthehet përmbys ky raport? Nuk besoj. Ministri Gonxhja ka përfshirë elementë me precedent penal, element kriminal. Bashkia Kamëz kërcënon mësuesit. Kryetari i bashkisë ulet në dreka me element kriminal. Po mundohen të krijojnë një klimë terrori. Informacionet ia kemi dërguar SPAK”, tha ajo.