Ministrja e re e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu e ka nisur me “dorë të hekurt” detyrën, me firmosjen e vendimit të parë për shkarkimin e zëvendësit të saj Andi Mahila. Gjithçka ka ndodhur pas një denoncimi qytetar.
Pirja e cigares në ambient të mbyllur i ka kushtuar detyrën zyrtarit të lartë Andi Mahila, pasi një ndër vendimet e para të ministres së re, e cila është dhe ministrja e parë grua në krye të Punëve të Brendshme, ka qenë shkarkimi i tij.
Ka qenë një denoncim qytetar me foto që ka përfunduar në adresën e ministres Albana Koçiu, në të cilin zëvendësi i saj shfaqej duke konsumuar cigare në ambient të mbyllur, një veprim i ndaluar me ligj.
Pas shqyrtimit të rastit, ministrja ka propozuar shkarkimin e Andi Mahilës dhe më pas është vendosur për shkarkimin e tij nga detyra. Ai mbante detyrën si zëvëndësministër i Punëve të Brendshme që nga janari 2021.
Menjëherë pas miratimit të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave, ministrja Albana Koçiu ka njoftuar qytetarin për vendimin e marrë.