Alarmuese në veriun e Kosovës! Gjendet armatim në pronën e politikanit serb, Zveçla flet për rrezik terrorist

Njësitet e Policisë së Kosovës, në koordinim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe Prokurorinë, dhe nën monitorimin e KFOR-it dhe EULEX-it, kanë ndërmarrë sot një bastisje të fuqishme në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit.

Gjatë operacionit, autoritetet kanë zbuluar një arsenal të madh armësh, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblonë, si dhe armë dhe municion të llojeve të ndryshme – një sasi e konsiderueshme që, sipas autoriteteve, mund të përdorej nga një njësi e tërë terroriste, shkruan Telegrafi.

Sipas informatave të bëra publike nga ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, vendi ku është gjetur ky armatim i rëndë është një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç, një emër i njohur në skenën politike të veriut të Kosovës.

“Sot kemi goditur një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë. Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh – veçanërisht përballë institucioneve vigjilente dhe profesionale që punojnë pa ndalur në ofrimin e sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në një reagim publik.

 

Ai shtoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë operacionet e tyre pa kompromis, me qëllim të çrrënjosjes së të gjitha mbetjeve kriminale dhe terroriste që, sipas tij, vijnë nga strukturat e Serbisë. Bastisja e sotme përbën një tjetër hap të vendosur në përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të forcuar rendin dhe sigurinë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku tensionet dhe përplasjet me grupet kriminale të armatosura kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit.


Shtuar 22.06.2025 18:18