Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si çnjerëzor dhe poshtërues.
Në një reagim publik, OVL UÇK thekson se refuzimi nga ana e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për të pranuar vizitën e Avokatit të Popullit është një shprehje e qartë e zhgënjimit të thellë që ata kanë ndaj një institucioni që, sipas tyre, ka zgjedhur të heshtë përballë padrejtësive në vend që të mbrojë të drejtat e tyre.
“Qëndrimi i tyre është një mesazh i fuqishëm se kjo gjendje nuk mund të normalizohet dhe as të justifikohet. Për më tepër, kufizimet ekstreme në takimet me avokatët dhe ndërhyrjet arbitrare në përgatitjen e mbrojtjes ligjore përbëjnë cenim të drejtave themelore të njeriut dhe shkelje të rënda të së drejtës për një proces të drejtë gjyqësor”, thotë OVL e UÇK., transmeton Telegrafi.
Tutje OVL e UÇK thotë se “siç është raportuar në media, takimet po organizohen në mënyrë të papritur dhe në kushte të papërshtatshme, duke penguar seriozisht funksionimin efektiv të mbrojtjes”.
Në këtë kontekst, OVL UÇK ka drejtuar një apel publik për ndaljen e menjëhershme të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues të të paraburgosurve; sigurimin e aksesit të plotë dhe të pandërprerë në mbrojtje ligjore; reagim të qartë dhe publik nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ndaj shkeljeve të evidentuara; rishikim të menjëhershëm të kushteve të paraburgimit dhe shqyrtim serioz të mundësisë për lirim të përkohshëm.