Alarm në ajër! 5 pasagjerë humbasin ndjenjat, avioni Londër–Tiranë devijon dhe kthehet në Londër

Një situatë shqetësuese ka ndodhur në një fluturim nga Londra drejt Tiranës, ku pesë pasagjerë janë ndjerë papritur keq dhe kanë humbur ndjenjat gjatë rrugës. Fluturimi, i nisur nga Luton Airport, pritej të mbërrinte në Rinas rreth orës 10:55, por rreth Mynihit, pilotët janë detyruar të ndryshojnë destinacionin dhe të kthehen në Londër.

Ekuipazhi ka reaguar menjëherë sapo ka konstatuar gjendjen e pasagjerëve, duke njoftuar pilotin për situatën emergjente. Për arsye sigurie, avioni është kthyer në pikën më të afërt të mundshme, Londër, ku tashmë pesë ambulanca ndodhen në pistë për të marrë pasagjerët e prekur. Ende nuk dihet shkaku i sëmundjes së tyre, por situata ka shkaktuar panik dhe shqetësim mes udhëtarëve të tjerë.

Pasagjerët e tjerë pritet të nisen drejt Tiranës më vonë, ndërsa kjo situatë ka sjellë edhe vonesa për ata që do të udhëtonin nga Tirana drejt Londrës. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe nuk ka njoftime për pasoja serioze, por incidenti ka ngritur alarmin mbi sigurinë dhe reagimin emergjent në fluturime ndërkombëtare.

Kjo që ndodhi sot, është një ngjarje që tregon se në fluturime çdo moment mund të kërkojë veprim sa më të shpejtë dhe profesional nga ekuipazhi, duke garantuar sigurinë e pasagjerëve në radhë të parë.


Shtuar 20.11.2025 16:58