Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Majlinda Bufin, kryebashkiake e Rroskovecit për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar ulet në 1 vit.
Bufi nuk rrezikon të shkojë në qeli, për shkak se në përfundim SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe lënien e saj në Shërbim Prove për 2 vjet.
Majlinda Bufi akuzohet se, në cilësinë e kryetares së bashkisë, i ka kërkuar një personi të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar.
HETIMI i SPAK
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, dyshohet se i ka kërkuar shtetasit G.B të mos marrë pjesë në votimet e 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari të forcave të tjera politike.
Rasti u bë publik më 6 maj 2023 përmes një regjistrimi audio të publikuar në media. Sipas transkriptit, biseda lidhet me faktin se personi në fjalë ishte përfitues i një programi social të bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, megjithëse objekti për të cilin kërkohej mbështetje nuk ishte banesë ekzistuese dhe kishte mangësi dokumentare mbi pronësinë.
Hetimet treguan se para takimit me kryetaren, punonjës të IMT-së kishin ndërhyrë në banesën e G.B duke i kërkuar ndalimin e punimeve për ndërtim pa leje. Gjatë takimit në ambientet e bashkisë, Bufi i ka përmendur tejkalimin e ndihmës dhe komunikime të mëparshme ku G.B shprehte mbështetje për kandidatin e opozitës.
Sipas akuzës, nën pretendimin se po e “shpëtonte” nga pasojat administrative, kryetarja i ka kërkuar këtij personi që deri në përfundim të zgjedhjeve të mos flasë publikisht dhe të mos shkojë të votojë. Kjo kërkesë, sipas hetimit, është bërë nën presion dhe kundër vullnetit të tij.
Pavarësisht kësaj, shtetasi G.B ka ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 Majit 2023.
