Gjykata e Sarandës vlerësoi të ligjshme dhe të plota hetimet e Prokurorisë dhe vendosi të kalojë për gjykim dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, për akuzën e “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, në dëm të turistes britanike Rebbeca Gannon, e cila humbi jetën tragjikisht tre vite më parë teksa bënte zhytje me ekspeditë në bregdetin shqiptar.
Vendimi për dërgimin e çështjes për gjykim u mor më datë 11 shtator, ndërsa më herët dosja ishte kthyer për plotësim të hetimeve, pasi ishin konstatuar mangësi, informon gazetarja Klodiana Lala.
Kushova, një zhytës profesionist që është arrestuar edhe në Norvegji për trafik droge (i dënuar me 15 vite burg), drejtonte e ekspeditën “Saranda Diving Center”, kur më 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës, ndërroi jetë teksa zhytej 29-vjeçarja Rebecca Gannon. Prokuroria e akuzon Kushovën se në cilësinë e operatorit turistik, nuk ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në vendimin. 845, datë 28.10.2020, që lidhej me aktivitetet turistike detare.
Hetimi ka rezultuar se nuk janë respektuar detyrimet e procesit të mbikëqyrjes së aktivitetit të zhytjes, që nga pajisjet të cilat duhet të verifikoheshin nga një person kompetent, mungesa e pranisë fizike të stafit të qendrës së zhytjes, e cila do të vëzhgonte sjelljen personale të çdo zhytësi dhe parandalimi ose korrigjimi i problemeve kur ato ndodhin. “Si pasojë e mospërmbushjes së këtyre detyrimeve, thotë prokuroria, ka gjetur vdekjen shtetasja angleze Rebecca Gannon…”.
Në momentin që u zhyt në det, turistja shfaqi shqetësime dhe sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor:
“Shkaku i vdekjes së shtetases Rebecca Gannon ka qënë asfiksisa mekanike, si pasojë e zënies së rrugëve të frymëmarrjes nga uji”.
Në dosje është përfshirë dhe korrespodenca edh me autoritetet norvegjeze, të cilat konfirmojnë se Saimir Kushova është duke kryer një dënim me 15 vite burg atje, për trafik narkotikësh.
Interpol Oslo në Norvegji, ka konfirmuar se Kushova është dënuar nga gjykata e Shkallës së Parë Hordaland, si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, të cilët në mënyrë ilegale kanë importuar dhe janë kujdesuar për lëndën narkotike, në sasi të mëdha.
Sipas të dhënave nga ardhura nga autoritetet e huaja, rezulton se Kushova aktualisht ndodhej në burgun Bergen, Norvegji.
Ai do të gjykohet në mungesë në Gjykatën e Sarandës, ndërkohë në proces do të jenë të pranishëm prindërit e Rebeca Gannon, të cilët janë zhvendosur nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, me shpresën për të gjetur drejtësi për jetën e vajzës.