Akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”/ Apeli i GJKKO i ndalon avokatit Besart Logu kryerjen e profesionit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur të ndalojë përkohësisht ushtrimin e profesionit të avokatit për Besart Logun, i cili ndodhet nën hetim për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Në një vendim të shpallur sot nga gjyqtari Florjan Kalaja, Apeli ndryshoi masën e mëparshme të sigurisë të dhënë nga shkalla e parë, duke zbatuar nenin 243 të Kodit të Procedurës Penale.

Masa e re ndaluese i ndalon Logut të ushtrojë aktivitetin si avokat, në pritje të përfundimit të hetimeve.

“Urdhërohet ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të profesionit të avokatisë për shtetasin B.L”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës, e cila ka urdhëruar gjithashtu njoftimin zyrtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për këtë masë.

Aktualisht, Besart Logu ndodhet në “arrest shtëpie”, por ndalimi i përkohshëm nga ushtrimi i profesionit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e tij ligjor dhe në përfaqësimin e klientëve.


Shtuar 29.09.2025 11:14