Akuzohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses, vihet në pranga mësuesi në Skrapar: E mitura dëshmon në polici

Pas denoncimit të ditës së djeshme në media për një mësues që akuzohej nga nxënësja e tij se e kishte ngacmuar seksualisht, policia e Beratit është vënë në lëvizje dhe e ka arrestuar ditën e sotme.

Mësuesi nga fshati Barç i Skraparit, Servet Bejo, 62 vjeç, është ndaluar nga efektivët e policisë dhe prej disa orësh ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Në ambiëntet e policisë është shoqëruar edhe e mitura 14-vjeçe së bashku me prindërit e saj.

Sipas burimeve policore, mësohet se vajza ka deklaruar në polici se mësuesi i saj e kishte puthur në buzë, e kishte kapur për flokësh dhe e kishte ngjeshur në mur dhe vetëm kur vajza kishte bërtitur ai e kishte lëshuar. Ende nuk dihet dëshmija e plotë që është duke dhënë e mitura në policinë e Beratit, ndërkohë që mësohet se ndaj mësuesit janë duke dëshmuar edhe prindërit  bashkë me disa familjarë të vajzës, sipas të cilëve mësuesi i ka kërcënuar pas ngjarjes që askush prej tyre të mos denonconte. Mësohet se edhe pse vajza kishte vënë në dijeni drejtoreshën e shkollës, askush nuk kishte njoftuar policinë, e cila e ka mësuar ngjarjen nëpërmjet mediave.

Mësohet se mësuesi Servet Bejo është larguar nga shkolla menjëherë pas ngjarjes dhe prej 11 Nëntorit 6 fëmijët e shkollës 9-vjeçare në fshatin Barç nuk bëjnë mësim pasi shkolla është e mbyllur.


Shtuar 18.11.2022 19:07