Një gjykatë italiane dënoi sot me burgim të përjetshëm një çift pakistanez për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, e cila kishte refuzuar të udhëtonte në Pakistan për t’u martuar me njeriun që kishin zgjedhur prindërit e saj.
Daja i vajzës u dënua me 14 vjet burg, ndërsa dy kushërinjtë u liruan.
Vajza jetonte në qytetin Novelara, pranë Bolonjës, nga ku u zhduk në maj 2021.
Ajo ishte ndarë me prindërit e saj sepse nuk pranoi për muaj të tërë të dorëzohej para presionit të tyre për t’u martuar me një kushëri të sajin në Pakistan.
Ajo u kthye në shtëpinë e prindërve për të marrë disa dokumente që i duheshin. Familja e saj u zemërua kur mësuan se 18-vjeçarja kishte pasur një lidhje, tha prokurori.
18-vjeçarja ka të ngjarë të jetë vrarë natën e 30 prillit, siç sugjerojnë pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat pesë persona mund të shihen duke u larguar nga shtëpia me lopata, leva dhe një kovë, për t’u kthyer dy orë e gjysmë më vonë.
Trupi i Shaman Abbas u gjet i dekompozuar jo shumë larg shtëpisë së familjes në nëntor 2022, rreth 18 muaj pas vrasjes. Identifikimi është bërë nëpërmjet analizës së materialit gjenetik.
Babai Shabar Abbas u arrestua në fshatin e tij në Pakistanin lindor me dyshimin për vrasjen e vajzës së tij dhe u ekstradua në Itali për t’u gjykuar.
Me lot në sy, Shabar Abbas këmbënguli se është i pafajshëm.
“Edhe unë dua të di se kush e vrau vajzën time,” u tha ai gjyqtarëve, sipas raporteve italiane. Ai pritet të apelojë vendimin e parë të gjykatës.