Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e opozitës për privatizimin e Portit të Durrësit.
Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se armiqësia kundër investimit duhet t’i shërbejë durrsakëve për të parë fytyrën e “armiqve” të Durrësit.
Sipas Ramës qytetarët duhet të zgjedhin të jenë ose me ata që pengojnë transformimin e Durrësit, ose me ata që do ta çojnë qytetin në majën e zhvillimit.
“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon,i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!”, shkruan kryeministri.
“Numri i maskaragjozllëqeve që po thuhen për projektin madhor të Portit Turistik të Durrësit, si edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912!”, vazhdon Rama në Twitter.