Aktori i njohur turk, Tolgahan Sayışman, dhe bashkëshortja e tij, modelja shqiptare Almeda Abazi, kanë zhvilluar së fundmi një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Çifti, i cili prej vitesh është një nga më të komentuarit në median shqiptare dhe turke, ndau momente nga takimi i tyre përmes rrjeteve sociale.
Në një postim në Instagram, Sayışman e shprehu publikisht admirimin e tij për kreun e qeverisë shqiptare: “Është një nder i madh për mua të jem në të njëjtën kornizë me liderin vizionar të Shqipërisë, Edi Ramën. Arkitekti i një vendi që shikon me shpresë drejt së ardhmes… Energjia dhe vizioni i tij janë vërtet frymëzuese. Jam i bindur që edhe në mandatin e ri 4-vjeçar do të realizojë gjëra të mrekullueshme për Shqipërinë. Me shumë respekt, i dashur Kryeministër @ediramaal 🇦🇱”, – ka shkruar ai.
Ky mesazh është pritur me interes të madh nga fansat e aktorit dhe ndjekësit e çiftit, duke gjeneruar reagime të shumta pozitive.
Takimi i tyre me kryeministrin Rama shihet si një gjest simbolik, ku arti, moda dhe politika ndërthuren në një moment miqësor e respekti.
Almeda Abazi, e cila prej kohësh është aktive mes Shqipërisë dhe Turqisë, ka ndarë shpesh me publikun momente të rëndësishme nga jeta e saj personale dhe profesionale, duke mbetur një figurë e dashur për publikun shqiptar.