Aktivisti përplaset me Gjiknurin: Zgjedhjet janë anti-kushtetuese pa votën e diasporës

Damian Gjiknuri ka debatuar me kreun e lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, lidhur me votën e diasporës.

Gjiknuri deklaroi se vota e diasporës mbetet ne diskrecionin e opozitës pasi PS nuk i ka votat në Parlament për ta votuar e vetme propozimin që kanë bërë.

Ndërsa aktivisti Haçkaj, e quajti të papranueshme qetësinë me të cilën Gjiknuri e shpjegon procedurën, ndërkohë që tha se zgjedhjet do të jetë anti-kushtetuese pa votën e diasporës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka lënë detyrë Kuvendit për plotësimin e legjislacionit, në mënyrë që diaspora të votojë.

Debati:

Damian Gjiknuri: E kam thënë që vota e emigrantëve u përfshi që në vitin 2021 në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se KQZ nuk arriti dot të nxjerrë aktet nën ligjore dhe për këtë arsye GJK arsyetoi që Kuvendi duhet të plotësojë disa boshllëqe ligjore, siç ishte edhe detyrimi për t’i vënë një afat të caktuar KQZ-së për miratimin e akteve nën ligjore. Ky proces ka vite që diskutohet edhe brenda nesh edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Piketat kryesore janë arritur. Nëse do të kemi një miratim të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, besoj se brenda korrikut duhet ta bëjmë këtë sepse nuk ka kohë, që të adresojmë disa nga boshllëqet që ka vërejtur GJK dhe duke marr parasysh edhe disa nga shqetësimet e organizatave të diasporës.

Ylli Rakipi: Të ndalemi konkretisht, mundet diaspora në vitin 2025 të votojë?

Damian Gjiknuri: Ndryshimet themelore, janë që vota e diasporës të llogaritet në nivel qarku. Pra një qytetar që adresën e fundit e ka patur në Durrës dhe tashmë jeton në një shtet europian, vota e tij do të llogaritet në qarkun ku ka patur rezidencën e fundit. Ai do të regjistrohet duke aplikuar në KQZ. Do të ketë një periudhë kohore që qytetarët që duan të regjistrohen si pjesëmarrës në votime jashtë vendit, duhet të paraqesin në KQZ dhe aplikimi do të shkojë edhe në zyrën e Gjendjes Civile, për t’u hequr nga lista në Shqipëri. Pra nuk ndryshon asgjë, veç parimit të votës në distancë.

Florian Haçkaj: Nëse këto tre pikat e fundit janë të dakordësuar, ne nuk do mbetemi te fjalët, duhet që komisioni i dialogut t’i hedhë në letër dhe të thuhet nga 10 pika, tre janë dakordësuar. Sot jemi 167 ditë në shkelje të afatit të GJK ndaj Kuvendit dhe nuk është kaq e thjeshtë sa thotë zoti Gjiknuri, që do ta bëjmë deri nga korriku. Kjo do rregull dhe data të caktuara. Përndryshe nuk ka për t’u bërë. Nuk e di kur do të mblidhet Komisioni i Dialogut.

Damian Gjiknuri: Kemi mbledhje. Kodi Zgjedhor kërkon konsensus. Opozita aty mund të kërkojë shumë gjëra, siç janë edhe kthimi i marrëveshjes së 5 Qershorit, koalicionet dhe histori të tjera si këto. Ne kemi detyrim që për dy vendime të GJK, që janë më deçizive, gjithcka tjetër është në diskrecion të politikës, por dy duhen zbatuar, rregullimet ligjore që mundësojnë votën e diasporës dhe e dyta, formula që ka të bëjë me shpërndarjen e mandateve, pra herësi. Nëse opozita nuk pranon, nuk do marrëveshje me mazhorancës dhe nuk sigurojmë 84 vota, nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të bëjmë çdo përpjekje dhe për votën e diasporës të paktën mendoj se kemi gjetur mirëkuptim për këto tre-katër elementë që unë thashë.

Florian Haçkaj: Qetësia me të cilën ju flisni, është për t’u marrë shembull nëse do të kishim kohë përpara. Sesionit parlamentar i vjen fundi për 2-3 javë. Nuk e kuptoj si është lënë një vendimi i GJK deri në fund.

Damian Gjiknuri: Nuk ka patur konsensus, çfarë do të bëjmë? Sa vendime mbeten pa zbatuar, kur nuk ka konsensus, nuk kemi cfarë të bëjmë.

Florian Haçkaj: Nuk është aq kollaj sepse ky është vendim i GJK dhe i bën anti-kushtetuese zgjedhjet pa këtë votë.

Damian Gjiknuri: Ua kam thënë që nuk i bën të pavlefshme zgjedhjet kjo. E dyta, po të ishte ashtu, do të kishte bërë të pavlefshme edhe zgjedhjet e kaluara, sepse vajti në GJK.

Florian Haçkaj: Nuk është prapaveprues vendimi i GJK. Mbani përgjegjësi publike, politike, deri në Strasburg, nëse nuk e plotësoni këtë vendim të GJK. Kështu si e keni marrë me kaq qetësi, hajd se po nuk u zbatua edhe këtë here nuk ka asgjë, është turp për faqe të zezë, nuk e di si ua lejon ndërgjegja edhe si jurist.

Damian Gjiknuri: Nuk ka lidhje ndërgjegja edhe me pjesën juridike. Ka edhe vende që nuk e aplikojnë fare votën e diasporës. Unë jam pro kësaj por ka njerëz dhe shtete evropiane që nuk e zbatojnë.

Florian Haçkaj: Në Evropë vetëm Mali i Zi nuk e ka votën e diasporës.


Shtuar 8.07.2024 23:40