AKSK: Rriten rastet e dh*nës online, të miturit grupi më i rrezikuar

Në epokën digjitale, ku komunikimi zhvillohet me shpejtësi marramendëse dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, dhuna online është kthyer në një fenomen shqetësues që po prek gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë, veçanërisht të rinjtë.

Në kuadër të fushatës së “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, institucionet shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), kanë marrë një rol të rëndësishëm në përballjen me këtë sfidë të re, duke ndërtuar mekanizma të mbrojtjes, raportimit dhe ndërgjegjësimit publik.

Floreta Faber, zëvendësdrejtoresha e AKSK-së, tha për ATSH-në se “dhuna online përkufizohet si çdo formë agresioni, kërcënimi apo ofendimi që ndodh përmes internetit dhe platformave digjitale”.

“Në Shqipëri, format më të përhapura janë bullizmi kibernetik, shantazhi digjital, mashtrimet me identitete të rreme dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale. Këto forma janë bërë pjesë e përditshmërisë digjitale, shpesh duke kaluar pa u vënë re, derisa pasojat e tyre prekin rëndë jetën e individëve, sidomos të miturve. Shoqëria shqiptare po tregon një ndjeshmëri në rritje ndaj këtij fenomeni, por reagimi mbetet ende i kufizuar. Shumë raste të dhunës online nuk raportohen, për shkak të frikës, turpit apo mungesës së besimit tek institucionet. Megjithatë, fushatat e ndërgjegjësimit të zhvilluara nga AKSK dhe Ministria e Arsimit kanë ndihmuar në rritjen e raportimeve dhe në krijimin e një kulture të re përgjegjësie digjitale”, tha Faber.

Sipas Faber, “të miturit janë grup-mosha më e rrezikuar dhe janë më të ekspozuar ndaj bullizmit kibernetik, pasi janë përdoruesit më aktivë të rrjeteve sociale dhe shpesh nuk kanë njohuritë e duhura për mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Sipas të dhënave të AKSK dhe Policisë së Shtetit për vitin 2025, janë regjistruar mbi 1200 raste të bullizmit kibernetik, nga të cilat 35 për qind kanë pasur si viktima të mitur, rreth 20 për qind e rasteve lidhen me publikimin e materialeve personale pa pëlqim, ndërsa vetëm 40 për qind e tyre janë raportuar zyrtarisht. Këto shifra tregojnë një rritje të dukshme të raportimeve, por edhe të vetë fenomenit”, tha ajo.

Faber tha se trajtimi i një denoncimi për dhunë kibernetike ndjek një procedurë të qartë institucionale.

“Fillimisht, viktima ose prindi bën raportimin pranë Policisë së Shtetit ose përmes portalit të AKSK: https://aksk.gov.al/raporto-3/. Më pas, ekspertët kryejnë verifikimin teknik për të identifikuar burimin e sulmit apo llogarinë anonime. Në rastet kur konstatohet shkelje ligjore, njoftohen institucionet përgjegjëse dhe hapet çështja penale. Paralelisht, përfshihen edhe strukturat e mbrojtjes së fëmijëve dhe psikologët shkollorë, për të garantuar mbështetje emocionale dhe sociale për viktimën”, u shpreh Faber.

Zëvendësdrejtoresha e AKSK-së, theksoi më tej se “në aspektin ligjor, Shqipëria ka bërë hapa përpara në përfshirjen e krimeve kompjuterike në Kodin Penal, por ende mungon një nen specifik që të trajtojë bullizmin kibernetik ndaj të miturve. AKSK ka propozuar ndryshime ligjore që do të parashikojnë dënime më të qarta për shpërndarjen e materialeve personale dhe për përdorimin e identiteteve të rreme me qëllim abuzimi. Kjo është një nevojë urgjente, pasi realiteti digjital po ecën më shpejt se ligji”.

“Një rol të rëndësishëm në këtë luftë ka edhe shkolla. Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzime të posaçme që detyrojnë institucionet arsimore të kenë një koordinator për sigurinë digjitale, si dhe të trajnojnë mësuesit për identifikimin e rasteve të bullizmit online. Edukimi për përdorimin e sigurt të internetit është integruar në lëndët e teknologjisë dhe qytetarisë, me synimin për të ndërtuar një kulturë mbrojtjeje që fillon që në bankat e shkollës”, vijoi ajo.

“Ndikimi i dhunës online në shëndetin mendor është i thellë. Psikologët raportojnë raste gjithnjë e më të shpeshta të ankthit, depresionit, izolimit social dhe uljes së vetëvlerësimit te fëmijët që janë viktima të bullizmit digjital. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave paralajmëruese, si ndryshime të papritura në sjellje, refuzim për të përdorur telefonin apo rrjetet sociale, nervozizëm pas përdorimit të internetit dhe humbje interesi për aktivitetet e zakonshme. Këto sinjale mund të jenë tregues të qartë të një përvoje traumatike online”, shtoi Faber.

Për të përforcuar mbrojtjen e fëmijëve, AKSK ka ofruar platformën “Raporto”, që mundëson raportimin anonim të rasteve të dhunës online.

Faber nënvizoi se “të dhënat më të fundit tregojnë që gjatë periudhës janar-shtator në këtë platformë janë raportuar 184 raste të përmbajtjeve keqdashëse online. Rreth 69 për qind e personave të prekur nga këto përmbajtje keqdashëse online ishin të mitur, nën 18 vjeç”.

“Ndërsa vajzat dhe gratë përbënin 73 për qind të viktimave të këtyre përmbajtjeve të paligjshme. Gjithashtu, janë zhvilluar fushata kombëtare, të cilat synojnë ndërgjegjësimin e nxënësve, prindërve dhe mësuesve për rreziqet e botës digjitale. Sipas sondazheve të fundit, mbi 60 për qind e të rinjve shqiptarë kanë dëgjuar për këto fushata, por vetëm 35 për qind deklarojnë se kanë ndryshuar sjelljen e tyre online, çka tregon se ndërgjegjësimi duhet të shoqërohet me edukim praktik dhe të vazhdueshëm”, theksoi ajo.

Faber u shpreh se dhuna online është një sfidë që kërkon përgjigje të koordinuar nga të gjitha nivelet e shoqërisë.

“Qeveria shqiptare, përmes AKSK dhe institucioneve të tjera, ka hedhur themelet e një sistemi të mbrojtjes digjitale, por puna duhet të thellohet për të krijuar një mjedis virtual të sigurt për çdo fëmijë dhe qytetar. Vetëm përmes bashkëpunimit mes shtetit, shkollës dhe familjes mund të ndërtohet një kulturë e re digjitale, ku teknologjia të jetë mjet zhvillimi dhe jo burim frike apo abuzimi”, përfundoi Faber.


Shtuar 13.12.2025 20:48