Aksioni për tenderat abuzivë te AKSHI/ Kontrolle në banesat e zyrtarëve e biznesmenëve dhe ortakëve të Ermal Beqirit

Pas goditjes së një grupi kriminal të drejtuar nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, që përmes pengmarrjes e shantazheve detyronin biznesmenët të hiqnin dorë nga tenderat e Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, procedura që më pas fitoheshin nga kompanitë e tyre, SPAK urdhëroi kontrolle të disa biznesmenëve, zyrtarë të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe bashkëpunëtorëve të dy personave të shpallur në kërkim.

Referuar dokumenteve, Gjykata e Posaçme, miratoi kërkesa për kontroll personal dhe të banesës për shtetasit Gëzim Toska, Renato Hristiç, Elon Ciko, Elgerti Bixha, Kreshnik Tërnova, Arjola Koromani, Endri Merkaj, si dhe subjektit ”Merkaj 3’.

Ndërsa, është ushtruar kontroll në banesat e Ergys Agasit, Ermal Beqirit, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendëses së saj Hava Delibashi, si dhe 4 të dyshuarve të tjerë.

Mësohet se gjatë këtyre kontrolleve, u sekuestruan materiale si dhe celularë e pajisje kompjuterike, të cilat mendohet se i shërbejnë hetimit.

Kontrollet kanë përfunduar mbrëmjen e së matës dhe pajisjet kompjuterike janë dërguar për ekspertim.

Nga hetimet e SPAK, reuzltoi se grupi kriminal rrëmbeu për disa orë biznesmenin Gerond Meçe, të cilin përmes kërcënimin e detyruan të heqë dorë nga ankimet për disa procedura tenderuese.

Me ndihmën e drejtueseve të AKSHTI, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të tillë që fitoheshin nga kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa dyshohet se grupi ka pastruar miliona euro.


Shtuar 17.12.2025 13:26