Sali Berisha ka komentuar operacionin policor të policisë në kampin e MEK në Manzë, dy ditë më parë.
Nga Foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi qeverinë për vdekjen e një prej anëtarëve të MEK.
Ky i fundit ndërroi jetë nga infarkti sipas raportimeve.
Berisha: Qeveria vrau një luftëtar lirie. Ndihem sot muxhahedin më shumë se kurrë sepse aktakuza e djeshme është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Tehera. Aktakuza bazohej në shpifje dhe trillime të shërbimeve të ajetullahëve. Aktakuza përmbante elemente të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve sikur nuk është një vend anëtar i NATO-, por sikur është një vasal i Iranit. Kërkoj largimin e ministrit të Brendshëm dhe të mbajnë 1 minutë heshtje për martirin e lirisë, që ra për tu bërë i pavdekshëm.
Policia e Shtetit zhvilloi më 20 qershor një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Gjatë kontrollit pati pëplasje mes policisë dhe muxhahedinëve në kamp, të cilët rezistuan për të dhënë dokumentacionin e kërkuar si edhe hapjen e të gjitha ambienteve.
Nga përplasja dhe përdorimi i gazit lotsjellës pati edhe një të vdekur si edhe disa të lënduar, ndërsa në kamp ka shkuar edhe një prokuror nga Prokuroria e Durrësit për të hetuar rrethanat e humbjes së jetës së muxhahedinit. Paraprakisht dyshohet se ia ndërroi jetë nga infarkti.
Ndërkohë, mësohet se nga kontrollet në kamp janë gjetur edhe servera, nga të cilët dyshohet se janë kryer sulme kibernetike. Nuk ka ende të dhëna nëse sulmet kanë qenë brenda vendit apo kanë shënjestruar vende të tjera.
Në një reagim të mëvonshëm Ministria e Brendshme tha se muxhahedinët kishin shkelur marrëveshjen pasi ata janë këtu vetëm për strehim dhe qëllime humanitare dhe jo për të kryer veprimtari të tjera. Pritet që në orët në vijim të jepet një informacion i detajuar nga Policia e Shtetit në lidhje me dyshimet e forcave të rendit dhe ecurinë e këtij operacioni.
/Albeu.com/