Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediet ditën e sotme, para ambienteve të Kryesisë, ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama se nuk mund të pranojë komisionet hetimore të propozuara nga opozita sepse del i implikuar.
Berisha: Edi Rama bllokon komisionet hetimore parlamentare, sepse e di se ata do nxjerrin para shqiptarëve të gjithë vjedhjet, të gjithë plaçkitjet, të gjithë përvetësimet që ai ka bërë me sojin e tij, pasurive publike, fondeve publike. Do nxjerrin se si për interesat e tij dhe të klaneve të tij kriminale, porti mijëravjeçar i Durrësit pp përfundon në hiç, vetëm që ky me klanet e tij në Dubai dhe kudo që i ka, të ndërtojë mbi 12 mijë apartamente, të përvetësojë 1.2 milionë metër katror truall publik.
Berisha gjithashtu hedh akuza se Rama është firmëtar kryesor në atë që e cilëson aferën e shekullit, inceneratorin e Tiranës.
Duke vijuar më tej, Berisha thotë se kreu i qeverisë nëse do të lejojë komisionet hetimore do të dalë aksioner me Pëllumb Gjokën dhe Gjergj Lucën, të cilët sipas tij janë me prejardhje nga krimi dhe droga.
Berisha: Edi Rama nuk mund të përfundojë komision hetimor parlamentar sepse del firmëtar kryesor në aferën, vjedhjen e shekullit, që janë djegësat, dhe veçanërisht djegësi i Tiranës. Ai nuk mund të pranojë hetimin e tij sepse del i implikuar, aksioner me Pëllumb Gjokat, Gjergj Lucat dhe shumë të tjerë që janë prejardhje krimi dhe droge. Nuk mund të pranojë komisionin hetimor parlamentar, sepse del se duke shkelur ligje, kushtetutë dhe konventë evropiane, kërkon të emërojë në Himarë, përfaqësuesin e mafies së rrezikshme të trojeve himarjote, dhe kjo vetëm për interesa të tij, të vëllait të tij, të ministrave të tij.
Unë pyes çdo qytetar, sa vlen hetimi i një bashkiaku diku, apo i një zyrtari tjetër, në krahasim me kryepeshkaqenin e krimit dhe vjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama. Jo, nuk ka vlerë. Ndaj dhe ne me guxim të palëkundur, nuk lëshojmë gjersa Edi Rama t’i nënshtrohet hetimit parlamentar. Jo vetëm ai, por të gjithë ish-kryeministrat, të gjithë ish-zyrtarët e lartë dhe ata që janë sot. Por natyrisht, e keqja e të keqes është Edi Rama.
Edhe më herët Berisha ka deklaruar se biznesmeni i arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza” është kapter i Gjergj Lucës.
“Çfarë është Pëllumb Gjoka para Edi Ramës? Më thoni mua. Është nënfish i Edi Ramës. Po prisni sa të dalin Gjokat e tjera në Durrës, në Elbasan, në rrethe të tjera, të gjitha fijet te Edi Rama.
Pëllumb Gjoka ka qenë kapter i Lucës, një vartës i tij. Gjeneral ka qenë Luca, i Edi Ramës. Ne jemi opozitë, nuk kemi fuqi ligjzbatuese dhe ne duhet të merremi me njeriun dhe pushtetin që sjell të gjitha këto”, ka deklaruar Berisha.
SPAK ka vënë në sitë pasuritë e biznesmenit Pëllumb Gjoka, prokurorit Xhevahir Lita dhe për të gjithë personat e tjerë të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Institucioni i akuzës ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare që mund të kenë këta persona.
Sipas burimeve pranë SPAK mësohet se shkresa për të verifikuar pasuritë e të dyshuarve për 12 vepra penale janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të tyre.
Gjithashtu në sitë janë edhe transaksionet që këta shtetas kanë kryer përpara se të vihenin në akuzë. Në sitë janë vënë prona të luajtshme e të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë apo jo burime të ligjshme./Albeu.com