Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin, arrestohet shoferi në Tiranë

Është arrestuar nga policia e Tiranës, shoferi i makinës që paraditen e kësaj të marte, përplasi një fëmijë 7-vjeçar për vdekje në Kamëz dhe u largua nga vendngjarja.

Policia bëri me dije se edhe pse 7-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, ai nuk mundi që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

“Rreth orës 11:20, në rrugën “Kastriotët”, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur një shtetas të mitur rreth 7 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit.

Si pasojë, i mituri ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.


Shtuar 24.02.2026 21:29