Aksidenti tragjik në Lisbonë/ Ndodh mrekullia, u raportua i vdekur, gjendet i gjallë një person nën tramvaj (VIDEO)

Një ngjarje tronditëse ka goditur Lisbonën, ku një aksident tragjik me tramvaj, shkaktoi humbjen e jetës së 16 personave, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur rëndë.

Mes të mbijetuarve është një djalë gjerman 3-vjeçar, i cili u nxor nga rrënojat. Por mrekullia për familjen e 3-vjeçarit është e dyfishtë, pasi babai i tij u shpall fillimisht i vdekur nga aksidenti, është gjetur gjallë.

Mediat lokale, fillimisht kishin raportuar se shtetasi gjerman kishte vdekur para syve të të birit në aksident.

Familja shkoi në morg në Portugali, por nuk mundën ta identifikonin atë.

CNN Portugal, raportoi se; “familja i tregoi një foto të burrit një oficeri policie vendas, i cili i çoi në spitalin São José. Atje u gjet gjallë, por “në gjendje të rëndë”, tha një zëdhënës i policisë portugeze.

3-vjeçari është bashkuar në spital me nënën e tij, e cila ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë.

Sipas agjencisë Lusa, fëmija ka marrë lëndime të lehta dhe po trajtohet në një spital pediatrik në Lisbonë.

Tramvaji Glória, që daton nga shekulli i 19-të, është një nga atraksionet më të njohura për turistët që vizitojnë kryeqytetin portugez, sidomos gjatë sezonit të verës.

 

 

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit dhe nuk përjashtohet as ndonjë defekt teknik në sistemin e frenimit.

Mes viktimave janë shtatë burra, tetë gra dhe disa persona ende të paidentifikuar. Sipas raportimeve lokale, të paktën katër nga të vdekurit ishin punonjës të organizmit bamirës më të madh në Portugali, Misericórdia de Lisboa Santa Casa, institucion që administron ndër të tjera edhe lojërat Euromillions.

Ata përdornin rregullisht këtë linjë tramvaji, për të shkuar në zyrat e tyre në qytet.

Numri i viktimave ka ndryshuar disa herë gjatë ditës. Fillimisht u raportua për 17 të vdekur, por kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, në një deklaratë për shtyp pasdite, konfirmoi se 16 persona kanë humbur jetën.

“Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha njerëzore të historisë sonë të afërt”, u shpreh kryeministri.