Aksidenti i rëndë në Klos/ Arrestohet drejtuesi i mjetit që ra në përrua, nuk i dha ndihmë pasagjerit, vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë në Klos, në vendin e quajtur “Ura e Halilit”. Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se është arrestuar 24-vjeçari, drejtuesi i automjetit që ra në përroin e fshatit Dars.

Policia thotë se 24-vjeçari nuk njoftoi policinë dhe u largua nga vendngjarja, duke mos i dhënë ndihmë pasagjerit.

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s, vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Njoftimi:

“Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24-vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30-vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24-vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.


Shtuar 10.01.2026 10:03