AKSIDENTET/ Të rinj dhe të “pamatur” në timon? Kush janë në të vërtetë shoferët më të rrezikshëm

Të rinjtë shpesh etiketohen si “të pamatur” në timon, por të dhënat e INSTAT për muajin mars 2025 tregojnë një tjetër realitet: më shumë aksidente në rrugët shqiptare shkaktohen nga drejtuesit e moshës 35 deri në 44-vjeç, të cilët përbëjnë 29.5% të numrit total të ngjarjeve rrugore.

Kjo grupmoshë është statistikisht më problematike se të rinjtë 18-25-vjeç, që tradicionalisht janë parë si më të rrezikuar dhe më të pakujdesshëm në trafik, raporton skyweb.al.

 

 

Në 85.2% të rasteve, shkaktari i aksidentit është vetë drejtuesi i mjetit, ç`ka dëshmon qartë se faktori njeri, e më konkretisht disiplina dhe kultura e drejtimit, mbetet hallka më e dobët në sigurinë rrugore.

Statistikisht, dita më e rrezikshme për të udhëtuar ka qenë e Hëna, me 20.5% të aksidenteve, ndërsa më pak incidente janë regjistruar të Enjten (10.2%).

Po ashtu, aksidentet kanë kulmuar në fashën orare 14:00 – 17:00, me 22.7% të totalit.

Pra, ndërsa ne vazhdojmë të dënojmë “të rinjtë e papërgjegjshëm”, statistikat e marsit godasin direkt në stereotipin: shkaktari më i madh i aksidenteve duket se nuk është mungesa e përvojës, por ndoshta vetëbesimi i tepruar i atyre që mendojnë se e dinë çdo gjë mbi timon. /skyweb.al


Shtuar 29.04.2025 09:22