Aksident tragjik në Zvicër/ Humbin jetën dy adoleshentë, drejtuesi një 16-vjeçar shqiptar

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, një aksident i rëndë ka tronditur qytetin e Wohlenit në kantonin Aargau të Zvicrës.

Mediat lokale, bëjnë me dije se dy adoleshentë kanë humbur jetën dhe një i tretë është plagosur rëndë, pasi automjeti Mercedes Benz me të cilin udhëtonin, ka dalë nga rruga dhe u përplas me murin e një shtëpie.

Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, ngjarja ndodhi rreth orës 04:45 në një zonë me kufizim shpejtësie prej 30 km/h.

Mjeti drejtohej nga një 16-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili humbi kontrollin dhe përfundoi jashtë rruge, duke kaluar përmes një kopshti, duke goditur një pemë dhe më pas duke u përplasur fort me murin e një banese.

Dy nga adoleshentët, njëri 16 dhe tjetri 19-vjeç, humbën jetën në vend, pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të urgjencës për t’i shpëtuar.

I plagosuri i tretë, një 19-vjeçar tjetër, shtetas zviceran nga kantoni i Cyrihut, ndodhej në sediljen e pasme dhe u transportua në spital në gjendje të rëndë, shkruan Lecanton27.ch

Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për shkaqet e aksidentit. 16-vjeçari që drejtonte makinën nuk posedonte një leje drejtimi.

Prokuroria publike ka urdhëruar marrjen e mostrave të gjakut dhe urinës, ndërsa është konfirmuar se mjeti luksoz Mercedes i përkiste vëllait të të miturit.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane LeCanton27.ch dhe Blick.ch, të tre të rinjtë ishin banorë të rajonit dhe besohet se makina po lëvizte me shpejtësi shumë më të lartë se kufiri i lejuar për zonën.

Policia kantonale dhe prokuroria, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.


Shtuar 1.08.2025 12:33