Aksident në Sarandë/ Makina përplaset me motorin, plagoset në kokë 22-vjeçari (EMRAT)

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:50, një aksident rrugor ka ndodhur në rrugën “Studenti”, pranë barit “Ali Pasha” në qytetin bregdetar të Sarandës.

Sipas të dhënave zyrtare, 22-vjeçari Klauid Hadëri, i cili po drejtonte një motor, është përplasur me një automjet tip “Smart”, që drejtohej nga 20-vjeçari Orlando Koshi.

Si pasojë e përplasjes, Hadëri ka pësuar dëmtime në kokë dhe është transportuar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonal, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e qarkullimit rrugor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë kryer testin e alkoolit për drejtuesit e mjeteve, ku rezultoi se të dy kishin nivel 0.00 mg/l.

Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, i cili ndodhi në minutat e fundit të ditës së shtunë.


Shtuar 20.07.2025 09:07