Policia e Peqinit ka arrestuar dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidentin me pasojë vdekjen e një personi mbrëmë në fshatin Përparim i Peqinit.
Burime zyrtare bënë me dije se Baftjar Debrova, drejtuesi i furgonit që u përplas me mjetin e pastrimit dhe Përparim Bufi, drejtuesi i mjetit të pastrimit u arrestuan në kuadër të hetimeve për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete në këtë ngjarje tragjike. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë vonë kur një furgon u përplas me një automjet pastrimi të mbeturinave në aksin e rrugës kombëtare Peqin -Elbasan në fshatin Përparim.
Përplasja ka qenë e fortë dhe fatkeqësisht ka rezultuar fatale për Kadri Dedej (i njohur edhe me emrin Bedri Dedej), punonjës i pastrimit, i cili ndodhej pranë mjetit të punës në momentin e aksidentit.
Ai ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e goditjes së rëndë.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.