Aksident në Lushnjë/ Përfundon në spital motoçiklisti, përplaset me një mjet

Një drejtues motoçiklete që shërbente në shpërndarjen e ushqimeve nga një fast food është plagosur dhe dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjes këtë pasdite, pas një përplasjeje me një automjet me targa të Kosovës.

Aksidenti ndodhi pranë rrethrrotullimit të njohur si i “plasmasit”, një zonë me qarkullim të dendur.

Policia e qarkullimit mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku përveç dokumentimit të rrethanave të aksidentit, ndërhyri edhe për disiplinimin e trafikut.

Sipas hetimeve paraprake, të dy mjetet po lëviznin në të njëjtin kah, ndërsa drejtuesja e automjetit me targa kosovare ishte duke kryer një manovër për t’u futur në rrethrrotullim, çka ka sjellë përplasjen me motoçiklistin.

Fatmirësisht, gjendja shëndetësore e motoçiklistit është jashtë rrezikut për jetën.

Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Lushnjes.


Shtuar 17.09.2025 16:14