Një aksident automobilistik ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, në dalje të qytetit të Bulqizës në drejtim të Dibrës. Sipas informacioneve policore, dy automjete janë përplasur ballë për ballë, duke shkaktuar plagosjen e një personi.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Bulqizës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin që lidh qytetin e vjetër të Bulqizës me Rrugën e Arbrit, një segment i njohur për rrezikshmëri të lartë, ku më parë janë regjistruar edhe aksidente të tjera, disa prej tyre me pasoja fatale.
