Mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, një aksident rrugor është regjistruar në aksin “Kakavije–Gjirokastër”, në vendin e njohur si “Ish-SMT”.
Sipas informacionit paraprak, një automjet me drejtues shtetasin K. F., 63-vjeç, banues në Dropull, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga F. K., 43-vjeç, banues në fshatin Lazarat.
Si pasojë e përplasjes, është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.