Aksident i rëndë në Elbasan/ Plagosen tre persona, një në gjendje kritike

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur  rreth 9 kilometra larg qytetit të Elbasanit, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.

Sipas burimeve nga vendngjarja, njëri prej të lënduarve ka pësuar plagë të shumta dhe fraktura, duke e bërë gjendjen e tij shëndetësore të rëndë.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore të specializuar.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:55 në aksin rrugor Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Balldren, pranë mbikalimit të Paraburgimit. Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një tentativë për parakalim, e cila ka sjellë përplasjen me një automjet tjetër dhe më pas humbjen e kontrollit të drejtimit, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe autoambulanca, të cilat kanë kryer dokumentimin e ngjarjes dhe u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Ndërkohë po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


Shtuar 24.01.2026 07:38