Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Jagodë të komunës së Klinës, ku një tren është përplasur me një veturë. Si pasojë e këtij incidenti tragjik, një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegraf, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sot, rreth orës 12:35, kemi pranuar informacionin se në fshatin Jagodë – Klinë ka ndodhur një aksident ku një tren ka goditur një makinë. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe autoambulanca. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi në vend, ndërsa tre persona të tjerë të lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, ka deklaruar Gashi.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e njësisë së trafikut, ndërsa për rrethanat e aksidentit është njoftuar edhe prokurori i shteti.