Aksident i rëndë në Itali/ Makina përplaset me kamionin, humb jetën 25-vjeçari shqiptar (EMRI+FOTO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Siçili të Italisë, ku një 25-vjeçar shqiptar humbi jetën tragjikisht në aksident rrugor, ndersa të plagosur mbetën edhe disa të rinj bashkëatdhetarë të tij.

Viktima është identifikuar si Flori Topalli, i cili udhëtonte së bashku me disa bashkëkombas të tij në makinën që u përplas me kamionin, për arsye që aktualisht po hetohen.

Kamioni i ngarkuar me fruta e perime udhëtonte në drejtim të Canicattì, drejtuesi i të cilit gjithashtu mësohet se ka marrë dëmtime, por jo serioze.

 

 

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në rrugën shtetërore 410 “Di Naro” në Naro, në km 14. Në aksident janë përfshirë një makinë dhe një automjet i rëndë kamion që transportonte fruta-perime.

Bilanci ishte një i vdekur dhe 6 të plagosur.

Rruga u mbyll përkohësisht. Personeli i “Anas” dhe forcat e rendit iu përgjigjën vendit të ngjarjes për të menaxhuar trafikun dhe për të rivendosur sigurinë sa më shpejt të ishte e mundur.

Të plagosurit u transportuan në spitalet në Canicattì, Licata dhe Agrigento. Asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Shumica e tyre që morën lëndime raportohet se janë shqiptarë, informon media italiane.

Prokuroria Publike e Agrigentos, ka hapur një hetim për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit dhe çdo përgjegjësi, pasi deri tani nuk ka një arsye zyrtare për aksidentin.

Pas aksidentit tragjik të ndodhur mëngjesin e së hënës në Itali, ku humbi jetën 24-vjeçari shqiptar Flori Topalli, familja e tij ka hapur një faqe në “GoFundMe” për të kërkuar ndihmë financiare me qëllim kthimin e trupit në Shqipëri.

Mes dhimbjes së madhe dhe pamundësive ekonomike, familjarët po kërkojnë mbështetjen e bashkëkombasve për të përballuar shpenzimet e transportit të trupit drejt atdheut.

Në apelin e publikuar në GoFundMe, motra e tij, Kesmentina Topalli, shkruan:

“Me dhimbje të thellë në zemër dhe në pamundësi ekonomike për të sjellë trupin e vëllait tonë të dashur pranë familjes, ju drejtohemi me përulësi për ndihmë, sado të vogël, që ai të prehet pranë shtëpisë dhe njerëzve të tij. Çdo kontribut është një mbështetje e madhe për familjen tonë në këtë moment të vështirë”.

 

 

Familja thekson se çdo ndihmë, pavarësisht shumës, do të shërbejë për të realizuar dëshirën që i riu të prehet pranë të afërmve të tij në Shqipëri.

“Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë përmes platformës GoFundMe, e hapur nga familjarët”, theksohet aty.

 


Shtuar 3.03.2026 13:22