Pak pas mesnate, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fushë- Prezë shumë pranë Vorës, ku një autoveturë tip Mercedes Benz, në të cilin udhëtonin katër të rinj, ka goditur nga mbrapa një betoniere e cila ishte e parkuar.
Si pasojë e goditjes, Mercedes Benz-i, ka marrë flakë menjëherë, duke bërë që katër të rinjtë që udhëtonin në të, të digjeshin tërësisht.
Ndërkohë, drejtuesi i betonieres pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas kontrolleve është gjetur dhe shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25- vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24-vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25-vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20-vjeç, E. K., 24-vjeç dhe A. L., 22-vjeç.
Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24-vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.