Aksident i rëndë në Fier/ Humbi kontrollin e mjetit, ndërron jetë 36-vjeçari (EMRI)

Pak minuta më parë, një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Peshtan Bregas, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, ku një 36-vjeçar i identifikuar si Hamza Duraj, ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, si dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, mësohet se i riu kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë.

Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.

Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 36 vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.

Aktualisht, trupi ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal Fier, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Më pas, familjarët do të tërheqin trupin për të kryer ceremoninë mortore gjatë ditës së nesërme.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.


Shtuar 2.03.2026 15:56