Aksi Librazhd-Përrenjas u rihap, por çmimet mbetet të larta! Buka në Korçë blihet për 150 lekë, operatorët e transportit nuk reflektojnë për biletat, çfarë pritet të ndodhë

Mesditën e djeshme mori fund “makthi” për juglindjen e vendit. Pas 11 ditësh, u rihap zyrtarëisht qarkullimi në segmentin e prekur në zonën e Dragostunjës, pjesë e aksit kombëtar Librazhd-Përrenjas.

Segmenti ishte bërë i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku erozioni çau asfaltin dhe dëmtoi rëndë infrastrukturën. Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi drejt Korçës u devijua përmes aksit Maliq-Moglicë-Gramsh, një segment me infrastrukturë të amortizuar që zgjaste udhëtimin me rreth një orë.

Si pasojë, operatorët e transportit rritën çmimin e biletës nga 7 mijë lekë në 10 mijë lekë, duke argumentuar kostot shtesë të karburantit dhe kohës. Rritja prej 3 mijë lekësh u prit me pakënaqësi nga qytetarët, por u “pranua” në heshtje për shkak të mungesës së alternativave.

Tashmë që aksi është rihapur dhe itinerari i udhëtimit i është rikthyer normalitetit, qytetarët presin reflektim të menjëhershëm në çmimin e biletës. Megjithatë, deri më tani tarifat vijojnë të mbeten të njëjta.

Ndërkohë, situata e krijuar ka ndikuar edhe në tregun e produkteve bazë në juglindje. Në Korçë, çmimi i bukës masive ka pësuar rritje të ndjeshme, nga 120 lekë në 140-150 lekë, në varësi të furrës. Furrtarët argumentojnë se, ndonëse çmimi i miellit nuk ka ndryshuar, kostot e transportit dhe energjisë elektrike janë rritur gjatë periudhës së bllokimit.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për ndikimin në buxhetet familjare dhe kërkojnë monitorim të tregut dhe masa konkrete nga autoritetet për të frenuar abuzimet. Tashmë që rruga është e kalueshme, mbetet për t’u parë nëse ditët në vijim do të sjellin ulje të çmimeve, apo nëse rritja e përkohshme do të kthehet në një standard të ri për konsumatorët e juglindjes.


Shtuar 4.03.2026 16:03